Të shtunën promovohet kompleti i veprave të shkrimtarit Ali Huruglica

Në bibliotekën e qytetit të Gjilanit “Fan S. Noli” do të përurohet kompleti i veprave të shkrimtarit Ali Huruglica. 

Për botimin e veprës letrare të Ali Huruglicës, do të flasë Sabit Rrustemi, editor i Shtëpisë botuese, “Beqir Musliu”, kurse vlerësime rreth kësaj krijimtarie të njërit nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë për fëmijë, do t’i paraqesin studiuesit dhe kritikët e letërsisë, Anton Nikë Berisha, Nexhat Rexha , Albinë Idrizi e Prend Buzhala.

“Kompleti i veprës letrare të Ali Huruglicës, shkrimtarit tonë të shquar për fëmijë që tash 29 vite i takon amshimit, botuar kohë më parë në 5 vëllime nga ana e Shtëpisë botuese “BEQIR MUSLIU”, përurohet ditën e shtunë, më 15 shkurt, në Bibliotekën e Qytetit, “Fan S. Noli”, në Gjilan, pikërisht në vigjilje të 17 Shkurit – Ditës së shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim për media.

Nën organizimin e Ars Clubit “Beqir Musliu” ( mbështetur dhe nga Biblioteka e Qytetit), përurimi i këtij kompleti veprash do të drejtohet nga poetja e studiuesja e letërsisë, Kaltrinë Berishës, do të lexohen dhe pjesë nga krijimtaria letrare e Ali Huruglicës .

Promovimi i kompletit të veprave të shkrimtarit Ali Huruglica do të bëhet të shtunën, më 15 shkurt 2025, në orën 12:00. /kulplus