Vonesat në numërimin e votave dhe dyshimet e ngritura, KQZ-ja me njoftim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i tyre është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ-ja duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës. KQZ-ja është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi”, thuhet në njoftim.
Sipas KQZ-së, pavarësisht problemeve të paraqitura, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
“KQZ-ja sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, thuhet aty.