Rama uron LVV-në për fitore: Do të jemi të hapur për bashkëpunim
Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se 97.71 për qind e votave janë numëruar në kryeqytet dhe se partia që prin është Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka uruar partinë fituese, duke thënë se procesi i zgjedhjeve është tejet i rëndësishëm për vendin, shkruan Zeri.info.
“Urime partisë fituese. Shpresojmë që shumë shpejt të formohet qeveria e re dhe që Prishtina të jetë një ndër prioritetet kryesore në agjendën qeverisëse. Kryeqyteti nuk është vetëm një qendër urbane, por zemra e funksionimit të shtetit, motori i zhvillimit ekonomik dhe imazhi ynë në botë. Rrjedhimisht, ai kërkon një program të qartë qeverisës, investime strategjike dhe një qasje të menduar mirë për ta kthyer Prishtinën në një model të zhvillimit modern e europian. Si institucion, do të jemi të hapur për bashkëpunim, me synimin që kryeqyteti ynë të marrë vendin që i takon në hartën e zhvillimit kombëtar”, shkroi ai në Facebook.
Rama po ashtu përgëzoi partitë opozitare për fushatën e zhvilluar.
“Dua të shpreh mirënjohjen e madhe për Lumir Abdixhiku dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për një fushatë model, të ndërtuar mbi parimet e kulturës politike, vizionit dhe unitetit. LDK, nën drejtimin e tij, ka treguar se debati politik duhet të zhvillohet mbi bazën e ideve dhe alternativave konkrete, duke forcuar besimin në një të ardhme më të ndritur për Kosovën.Në këtë frymë, një mirënjohje e veçantë shkon për angazhimin e LDK-së për Prishtinën – jo vetëm si kryeqyteti i Kosovës, por si qendra e zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Republikës sonë. Një Prishtinë moderne, funksionale dhe e urbanizuar me vizion është çelësi për një Kosovë të fortë dhe konkurruese në rajon”, shkroi ai ndër tjera. /Zëri