Arrestohet gjilanasi pasi pranoi 600 euro për ta ndihmuar një kandidat që ta kalojë testin e lejës

Policia e Kosoës ka njoftuar se është ndaluar një person në Gjilan nën dyshimin për mashtrim gjatë procedurës së testimit për patentë shoferë.

Ngjarja kishte ndodhur më 27 gusht 2024, në Qendrën e Patentë Shoferëve në Gjilan, kur gjatë kontrollit nga ana e ekzaminerëve, një kandidat m/k u kap me pajisje elektronike të fshehura në trup, përfshirë një mini mikrofon, pajisje për internet dhe një mini kamerë, të cilat dyshohet se i shërbenin për të kaluar testin në mënyrë të jashtëligjshme.

“Policia, pas pranimit të informatës, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar të dyshuarin dhe ka konfiskuar pajisjet si prova materiale.

Pas hetimeve, Policia ka identifikuar një person dhe ka kontrolluar banesën e tij, por ai nuk është gjetur aty. Njësia i ka lënë ftesë për intervistë, dhe më 10 shkurt 2025, I dyshuari është paraqitur vullnetarisht në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij.

Në bazë të provave të siguruara, ndaj të dyshuarit është ngritur dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit’.

Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, është lëshuar aktvendimi për ndalimin e tij për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta”, thuhet në komunikatë. /Zëri