DnV: Fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese mund ta minojë integritetin e zgjedhjeve

Eugen Cakolli, nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, tha se votuesit kanë deklaruar se ngjyra matrikuluese po fshihet lehtësisht nga gishtërinjtë e tyre dhe kjo çështje, sipas tij, mund t’i japë rrugë votimit të dyfishtë.

Një gjë e tillë, sipas Cakollit, “do të minonte besimin e publikut, por edhe integritetin zgjedhor”.

Në konferencën për media, Cakolli tha se ka disa mekanizma që sigurohet që votuesit të mos votojnë dy herë, por theksoi se “problemi qëndron te fakti fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese mund të krijojë perceptim qytetar procesi nuk ka qenë i rregullt dhe mund të ketë pasur raste të tilla”.

DnV-ja tha se ka vërejtur edhe probleme të tjera gjatë votimeve për zgjedhjet parlamentare.

Problemi më i theksuar gjatë procesit të votimit deri në mesditë, sipas Cakollit, është mosgjetja e emrave të votuesve në listat e votuesve.

DnV-ja ka 500 vëzhgues në mbarë vendin dhe Cakolli tha se janë vërejtur edhe probleme kur nuk është regjistruar që një votuesit i është ofruar asistencë me votim.

Po ashtu, ndonëse në një nivel dukshëm më të vogël, DnV-ja tha se edhe në këto zgjedhje fenomeni i fotografimit të votës është prezent.