Rita Ora shpërndan në Instagram thirrjen e nënës së saj për të dalë në zgjedhjet qendrore të dielën në Kosovë

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka përdorur platformën e saj me mbi 16.2 milionë ndjekës për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit mbi zgjedhjet qendrore në Kosovë, të cilat do të mbahen këtë të diel.

Rita ka shpërndarë në Instagram një video të nënës së saj, Vera Sahatçiu Ora, e cila bën një thirrje publike për qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në votime.

Vera, e cila është psikiatre me profesion, e publikoi fillimisht videon në llogarinë e saj personale, ndërsa Rita u sigurua që mesazhi të arrinte një audiencë edhe më të gjerë.

Në video Vera Sahatçiu Ora shprehet: “Të dashur bashkatdhetarë, duhet të jemi të lumtur që kemi mundësinë të votojmë për të ardhmen e shtetit tonë dhe për të mirën e vendit tonë. Votoni për përcaktimet e juaja, duke shpresuar që premtimet e fushatës të realizohen. Me fat Kosovë!”.

Përmes ndarjes së kësaj videoje, Rita Ora ka kontribuar në mobilizimin e qytetarëve, duke nxitur përfshirjen aktive në procesin demokratik të vendit të saj të origjinës.

Thirrja e saj ka marrë reagime të shumta pozitive, me ndjekës që kanë përgëzuar gjestin e Ritës për të përdorur platformën e saj për një çështje të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Zgjedhjet qendrore në Kosovë pritet të mbahen këtë të diel, ku qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë për mandatin e ardhshëm. /Telegrafi