Dështoi sërish seanca për buxhetin në Gjilan, Hyseni: Situata është alarmante
dështuar sërish të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e ftuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi asamblistët e partive opozitare (LDK, PDK dhe AAK), nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.
Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, tha se me 11 asamblistë të pranishëm nuk ka kuorum për të nisur kjo seancë.
Përndryshe, kjo seancë urgjente ishte ftuar nga kryetari i Gjilanit me dy pika të rendit të ditës, miratimi i buxhetit për vitin 2025 dhe ndërrimi i destinimit të shfrytëzimit dhe dhënia në shfrytëzim të fshatit social të Kuvajtit “EuroSky”.
Ndërkohë, kreu i Komunës, Alban Hyseni, në një konferencë për media theksoi se po provojnë që ta aprovojnë buxhetin për komunën e Gjilanit për vitin 2025.
“Jemi në një situatë alarmante, kanë mbetur edhe pak kohë që përfundimisht punëtorët të mbesin pa paga. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje opozitës që të reflektojnë dhe të sjellin kërkesat e tyre që t’i implementojnë në buxhet”, ka thënë Hyseni, duke theksuar se janë të gatshëm t’i pranojnë kërkesat e tyre.
Ai thekson se mosvotimi i buxhetit nga ana e opozitarëve është i pakuptimtë dhe i padrejtë për qytetarët e Gjilanit.
Ndryshe, kryetari Hyseni ka bërë thirrje sërish për një seancë urgjente nesër me fillim nga ora 09:00.