ATK-ja konfirmon çmimet e tregut për barna, OFK-ja kërkon nga MSH-ja marrjen e veprimeve për të parandaluar dëmtimin e barnatoreve
Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka kërkuar opinion ligjor nga Administrata Tatimore e Kosovës lidhur me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për çmimet e barnave.
OFK-ja ka mirëpritur opinionin ligjor të ATK-së, që sipas tyre konfirmohet se çmimi i produkteve farmaceutike duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo më pak se çmimi i kostos së prodhimit dhe shpërndarjes.
Në një njoftim OFK-së theksoi se ky opinion i ATK-së është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të transparencës dhe mbrojtjes së interesave të barnatoreve dhe industrisë farmaceutike në Kosovë.
Po ashtu, Oda kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet përkatëse të saj të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të parandaluar dëmtimin e barnatoreve për shkak të stokut të tepruar dhe vendimeve të kundërligjshme që ndodhin në këtë proces.
“Oda e Farmacistëve të Kosovës, mirëpret opinion ligjor të ATK-së, me të cilin konfirmohet se çmimi i produktit duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo me pak se çmimi i kostos.
OFK fton edhe njëherë Ministrinë e Shëndetësisë dhe organet vartëse të saj nga ndërmarrja e veprimeve për stokun, me të cilat dëmtohen barnatoret në implementimin e vendimeve të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e OFK-së.
OFK-ja shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera të rëndësishme, për të siguruar implementimin e ligjshmërisë së këtij vendimi në terren.
Ndryshe edhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për përcaktimin e çmimeve të barnave, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ky vendim mund të ketë në tregun farmaceutik dhe furnizimin me barna në Kosovë.