Rama: Në krye të Kishës Autoqefale do të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar.

Duke iu referuar amanetit, siç e quajti ai, të kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, kreu i Qeverisë theksoi se nuk mund të përfytyrohet kryepeshkop tjetër përveçse të qenit shqiptar.

Në komunikimin e tij me qytetarët në rrjetin social në Facebook, përmes rubrikës “Sy më sy”, Rama tha se ashtu siç grekët nuk do ta pranonin një kryepeshkop serb apo bullgar, ashtu edhe në Shqipëri është e logjikshme që në krye të Kishës Autoqefale të jetë një kryepeshkop shqiptar.

Zgjedhjen e Anastas Janullatosit në krye të kësaj kishe Rama e justifikoi duke thënë se Shqipëria nuk mund të zgjidhte tjetër person për sa kohë nuk kishte një kryepeshkop për shkak të ndërprerjes së gjatë të besimit nga regjimit komunist.

“Unë besoj që me amanetin e tij publik dhënë në shtypin grek pak kohë para se të ndahej nga jeta kryepeshkopi Janullatos ka mbyllur të gjitha gojët dhe nuk ka lënë shteg për askënd për të ngritur hipoteza të asnjë natyre lidhur me rolin dhe figurën, me bilancin historik të qëndrimit të tij në krye të Kishës Autoqefale , kur ka thënë se pasardhësi im duhet dhe do të jetë një shqiptar. Kur ka thënë që “ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ndërtuar një koloni por për Kishë Autoqefale dhe njësoj si ne, ashtu edhe grekët nuk e parafytyrojnë dot në Greqi një kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të parafytyrohet në Shqipëri, dikush tjetër përveçse një kryepeshkop shqiptar. Ndërkohë në momentin e ardhjes së tij ishte e pashmangshme vendosja e një kryepeshkopi jo shqiptar për shkak se ne nuk e kishim për shkak të një ndërprerje të gjatë historike mundësinë që të vendosnim një kryepeshkop shqiptar. Kjo është e thjeshtë dhe të gjitha teoritë e konspiracionit dhe të gjitha luftërat imagjinare të bazuara të frymëzimet nga shekujt e kaluar kur realisht patriotët shqiptarë kanë pasur probleme të rënda deri edhe kanë humbur jetën për shkak të konflikteve të caktuara të Kishës janë pavend sot në shekullin 21”, u shpreh Rama. /Rtsh