Mustafa: Ndryshimi për Kosovën shumë afër, LDK-ja do ta sjellë këtë ndryshim
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se ndryshimi për të cilin Kosova ka aq shumë nevojë është shumë afër, pasi sipas tij vrulli i LDK-së është i pandalshëm.
Mustafa, përmes një konferencë për media, u ka bërë thirrje qytetarëve të angazhohen maksimalisht në këto ditë të fundit para zgjedhjeve, duke siguruar që të gjithë të dalin për të votuar më 9 shkurt.
“Vrulli i madh i LDK-së është kudo. Ndryshimi për të cilin Kosova ka aq shumë nevojë është shumë afër. Tash krejt varet nga ju! Ne kemi nevojë për ju. Ne kemi nevojë që ju të flisni me të gjithë që njihni dhe të siguroheni që ata do të dalin të votojnë për ndryshim. Ne kemi nevojë që ju të siguroheni që të dielën ata të shkojnë në vendvotim dhe të votojnë për LDK-në. Të gjithë tani e kuptojnë se ndryshimi po vjen dhe se vetëm LDK-ja do ta sjellë këtë ndryshim”, tha ai.
Ai ka theksuar se vetëm LDK-ja mund ta sjellë ndryshimin, prandaj dhe ka bërë thirrje që secili qytetar të marrë me vete edhe një person tjetër për të votuar për të garantuar fitoren e partisë.
“Nëse secili prej jush sjell një person tjetër për të votuar për LDK-në, do të vijë ndryshimi! Ne do ta fitojmë këtë garë. Ne e ndiejmë atë, ju e ndjeni. Tash, së bashku, le ta sjellim ndryshimin. Le të bëhemi ndryshimi. Prandaj më 9 shkurt: Votoni 124. Votoni LDK-në. Votoni Lumirin”, tha Mustafa.