Netanyahu mbërrin në SHBA, për bisedime me Trumpin
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në SHBA për një takim me presidentin Donald Trump.
Bëhet e ditur se liderët do të diskutojnë mbi Hamasin, Iranin dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe.
Ndërsa takimi në Shtëpinë e Bardhë që do të mbahet më 4 shkurt, do të jetë i pari i Trumpit me një udhëheqës të huaj që nga kthimi në detyrë, shkruan SkyNews.
Dhe vjen pasi amerikanët dhe arabët kanë filluar ndërmjetësimin për fazën tjetër të një marrëveshjeje për të mbyllur luftën në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët.
Sipas Netanyahut, duke punuar me SHBA-në, mund të “forcojnë sigurinë dhe të arrijnë paqen përmes forcës”.
Por, Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje të tjera pa përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite.
Ndryshe, Netanyahu është nën presion në rritje nga disa prej partnerëve të tij qeverisës për të rifilluar luftën pas përfundimit të fazës së parë në fillim të marsit.
Ai këmbëngul se Izraeli është ende i përkushtuar për fitoren ndaj Hamasit dhe kthimin e të gjitha pengjeve të kapur në sulmin e militantëve të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën. /telegrafi