Lajçaku thotë se ka propozim të ri në dialog, BE-ja nuk e komenton
Paralajmërimet e sllovakut Mirosllav Lajçak se Bashkimi Evropian po e përgatit një propozim të ri për Kosovën dhe Serbinë, sipas analistëve politik duhet të merren me rezerva, sepse sllovaku ishte kontradiktor në deklarime. Për propozimin e ri nuk ka pasur komente as nga zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme e as nga Qeveria e Kosovës.
Dy ditë para përfundimit të mandatit, emisari për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian është duke e përgatitur një propozim të cilin do t’ia dorëzojë Kosovës dhe Serbisë.
Për ekzistencën e këtij plani, TV Dukagjini e ke pyetur Zëdhënësen e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka kthyer asnjë koment.
Deklarimet e sllovakut Lajçak vëzhguesit e procesit të dialogut bëjnë thirrje që të merren me rezerva, sepse konsiderojnë se ishte kontradiktor në deklarime.
“Në pjesën e fundit të intervistës tha se Brukseli duhet të komunikojë me Uashingtonin për këtë çështje që BE-ja të jetë ajo që do të prijë dhe SHBA t’i shkojnë pas. Do të thotë edhe nëse ekziston një plan ai nuk është i koordinuar dhe harmonizuar me SHBA-në këtë e tha edhe ai vetë”, ka thënë analisti Melazim Koci.
Edhe nëse shmanget kjo kundërthënie, sipas Kocit, BE-ja nuk ka se çfarë të ofrojë, kjo edhe me fajin e sllovakut Lajçak.
“Pres që në periudhën e ardhshme jo shumë shpejt që SHBA të dalin me një plan i cili nuk do të jetë i harmonizuar ose i koordinuar me BE-në, BE do të margjinalizohet, dhe ai do të jetë plan i SHBA-së ku do t’i ofrohet në formë ultimative Serbisë dhe Kosovës, pa shumë hapësirë për negociata siç ka ndodhur me planin franko-gjerman”, ka shtuar Koci.
Lidhur me këtë plan, gjatë ditës nuk ka dhënë koment as Klisman Kadiu, këshilltar i kryenegociatorit, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.