Përfundon dëshminë Naser Krasniqi në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 118-të në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari filloi të hënën (27 janar) dhe me kërkesën e tij, iu hoqën masat mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë kohës sa dëshmitari dëshmonte në sallë, ai përfaqësohej nga një avokat i cili ndodhej jashtë sallës së gjyqit, por që sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ai ishte i disponueshëm në rast që dëshmitari kërkon konsultim ligjor lidhur me ato që do të thoshte në Hagë ose me çështje që mund ta inkriminonin.

Ndryshe, gjatë fundit të dëshmisë, dëshmitari përveç nga trupi gjykues, u mor në pyetje sërish nga mbrojtja e Kadri Veselit, përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Me kaq përfundoi seanca e sotme. Ndërsa, seanca e nesërme pritet të fillojë nga ora 11:30 dhe se pritet të përfundojë më herët se zakonisht, si dhe dëshmitari i radhës pritet të dëshmojë përmes video-lidhjes.