Kurti: Serbia t’i dorëzojë vrasësit e aktivistit Enver Hadri

Gjykata e Apelit në Bruksel ka konfirmuar fajësinë për vrasjen e aktivistit të shquar Enver Hadri, duke vërtetuar dënimet e përjetshme për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin.

Ata së bashku me Bozhidar Spasiqin u shpallën fajtorë në vitin 2016 për këtë atentat politik të ndodhur më 25 shkurt 1990 në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë vendim si një triumf të drejtësisë, duke theksuar rëndësinë që ka përmbushja e saj e plotë përmes dorëzimit të të dënuarve nga autoritetet serbe te drejtësia belge.

“Triumf i drejtësisë për Enver Hadrin! Gjykata Penale në Bruksel ua ka konfirmuar fajësinë për vrasjen e aktivistit Enver Hadri, dy autorëve të dënuar të këtij atentati politik, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta të dy së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Bruksel.

“Fatkeqësisht, ashtu sikurse gjykimi fillestar edhe shqyrtimi i ankesave të dy nga tre të dënuarit, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, u zhvillua në një proces gjyqësor në mungesë të tre të akuzuarve dhe të dënuarve, pasi që autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i dorëzojnë ata te autoritetet e drejtësisë në Belgjikë. Të porositur nga shërbimi serb i zbulimit, Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq, në bashkëkryerje kishin qenë pjesë e ekzekutimit të atentatit ndaj Enver Hadrit. Për përfshirje në vrasjen e Hadrit, kanë qenë të dyshuar edhe disa të tjerë, dy prej të cilëve qenë vrarë në konflikte mes grupesh kriminale serbe më vonë”, ka shkruar ai.

“Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”, ka shkruar Kurti në Facebook.