Aktakuzë ndaj një serbi për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit me inicialet C.K., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar.
“Në mbështetje të neneve 234, par. 2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri C.K. është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga Neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.
“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri