Pas kryeministrit të Serbisë, dorëheqje jep edhe kryetari i Novi Sadit
Pas kryeministrit të Serbisë, dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq.
Gjuriqi, siç ka bërë të ditur, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit.
“Si njeri i përgjegjshëm dhe politikan i përgjegjshëm, po jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Novi Sadit. Stabiliteti dhe qetësimi i tensioneve dhe ndalimi i ndarjeve të mëtejshme në shoqëri janë kushte kyçe për përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Novi Sadit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të tij”, ka thënë ndër të tjera ai.
Dorëheqja e tij vjen pasi kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen të martën, pas muajsh protestash në Serbi.
Dhe dorëheqja e Vuçeviqit erdhi vetëm një ditë pasi presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi një “rikonstrukturim urgjent dhe të gjerë të qeverisë” në përgjigje të kërkesave të paraqitura nga studentët grevistë të universitetit të Serbisë, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se të hënën demonstruesit filluan një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi kyç të trafikut në kryeqytetin Beograd, duke rritur presionin mbi autoritetet.
Fermerët serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protesta javësh duke kërkuar përgjegjësi për një aksident vdekjeprurës në Novi Sad, të cilin kritikët e kanë fajësuar për korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.