Dyshohet se siguroi automjetin për vrasjen e Kristian Markut, arrestohet 36-vjeçari nga Kukësi

Policia ka arrestuar një 36-vjeçar nga Kukësi, i cili dyshohet se ka siguruar automjetin që u përdor nga vrasësit e Kristian Marku alias Kristian Bardhi.

Kujtojmë se vrasja ndodhi më 13 janar 2025 në autostradën Fier-Vlorë.

Në pranga ka rënë i riu E.C., lindur dhe banues në Kukës, i dyshuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

“Veprime të thelluara hetimore, bazuar edhe në inteligjencën informative, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më 13 janar 2025, identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit/ëve.

Siguroi automjetin e përdorur për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi, ndalohet 36-vjeçari me origjinë nga Kukësi.

Në vijim të veprimeve intensive nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit:

E. C., 36 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, i dyshuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, u arrit të dokumentohej se automjeti i përdorur nga autori/ët për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi është siguruar nga shtetasi E. C., lindur dhe banues në qytetin e Kukësit.

Njëkohësisht, gjatë periudhës hetimore janë kryer veprime dhe janë sekuestruar prova që i shërbejnë hetimit me qëllim zbardhjen e ngjarjes”, njofton policia.

Në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.