Kolo Muani flet si lojtar i ri i Juventusit: I lumtur që ndodhem në këtë klub legjendar

Sulmuesi i ri i Juventusit, Randal Kolo Muani, ka folur për herë të parë në kanalet zyrtare të klubit bardhezi, duke ndarë emocionet e para, pas transferimit të tij në Serie A.

Këto ishin fjalët e tij: “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, në këtë klub legjendar. Jam krenar që mbaj këtë fanellë dhe që do të luaj për këto tifozë”.

A ka ndonjë francez të Juventusit nga e kaluara që të frymëzon?

Ka shumë futbollistë francezë, që kanë bërë histori këtu. Natyrisht, do të përmend Zinedine Zidane. Një tjetër që më pëlqente shumë ishte David Trezeguet. Në një epokë më të afërt përmend Paul Pogba dhe, sigurisht, Khephren Thuram, i cili po bën një punë të shkëlqyer këtu. Jam me të vërtetë i lumtur që bëhem pjesë e kësaj historie.

A keni folur tashmë me trajnerin Thiago Motta?

Kam folur gjatë me trajnerin, i cili më shpjegoi me detaje filozofinë e tij të lojës. Kjo më bindi të firmos për Juventusin. Mezi po pres të filloj stërvitjet dhe të zbres në fushë.

Mes rolit të sulmuesit të krahut dhe qendërsulmuesit, cilin preferoni?

Nuk kam preferenca, mjafton të jem në fushë. Do të luaj aty ku trajneri mendon se është më e mira. Por, nëse duhet të zgjedh, do të thoja qendërsulmues, pasi mendoj se është roli ku mund të shpreh më mirë veten.

Çfarë dhe sa dini për kampionatin italian?

Është një kampionat shumë i vështirë, më pëlqen ta sfidoj veten në Serie A. Kam luajtur këtu në Itali me Francën, ishte një ndeshje e madhe. Kishte shumë presion mbi ne, por kjo është pikërisht ajo që dua dhe më pëlqen të ndiej. Jam gati dhe mezi po pres për të nisur.