Kyle Walker arrin në Milano para testeve mjekësore

Kyle Walker është tani në Itali dhe është gati t’i nënshtrohet testeve mjekësore përpara kalimit të tij nga kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester City, te Milani i Sergio Conceicao.

Pamjet nga media të ndryshme tregojnë se anglezi ka mbërritur në aeroportin Linate të Milanos. Ai mbërriti pak pas mesditës dhe u pa duke u larguar nga terminali rreth 40 minuta më vonë.

34-vjeçari do t’i bashkohet Milanit në një marrëveshje fillestare huazimi, e cila do të jetë falas.

Kuqezinjtë më pas kanë një opsion për ta bërë marrëveshjen të përhershme për një tarifë prej 5 milionë euro në një datë të mëvonshme.

Ardhja e tij vjen në një moment të përshtatshëm për Milanin, pasi Emerson Royal, i cili ka qenë titullari kryesor në krahun e djathtë këtë sezon, pësoi një lëndim dy minuta pas fitores së mbrëmshme në Ligën e Kampionëve ndaj Gironas dhe mund ta përjashtojë atë nga fusha për rreth dy muaj sipas raporteve të fundit.

Mbetet për t’u parë nëse Walker do të përfshihet në skuadrën e Conceicao për t’u përballur me Parma në Serie A në fundjavë. /telegrafi