Keqtrajtohen pesë kroatë në Serbi, Zagrebi i dërgon notë proteste Beogradit

Kroacia ia dërgoi një notë proteste Serbisë për shkak të marrëdhënieve dhe trajtimit të qytetarëve kroatë në atë vend.

Zagrebi ka kërkuar shpjegim dhe ka shprehur një protestë të fortë, për sjelljen e serbëve ndaj pesë shtetasve kroatë gjatë qëndrimit të tyre në Serbi.

Notën e ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme, Gordan Grliq Radman.

“Ne do të dërgojmë një notë proteste, do ta informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre, në të cilën ata i vendosën qytetarët kroatë në pozitë poshtëruese”, tha ai.

“Ne do të mbledhim sistematikisht të gjitha rastet e keqtrajtimit të qytetarëve kroatë dhe do të informojmë Komisionin Evropian dhe Presidencën polake (BE) për këtë dhe, natyrisht, do të rishikojmë rekomandimin për udhëtimin e qytetarëve kroatë në Serbi”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

Grliq Radman sqaroi se rekomandimi i MVEP-it për udhëtimin në një shtet fqinj do të ndryshohet, për mbrojtjen dhe sigurinë e kroatëve.

“Me sa shoh unë, siguria është e dyshimtë”, tha shefi i diplomacisë kroate.