Sulmi në një shkollë të Suharekës nga një qen i tërbuar, Policia jep detaje
Të mërkurën rreth orës 09:40 një qen i tërbuar ka sulmuar katër persona në një shkollë të Suharekës, duke u shkaktuar lëndime trupore.
Në raportin ditor të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Është raportuar se një qen që dyshohet se është i tërbuar ka sulmuar dy persona, duke u shkaktuar lëndime trupore. Po ashtu lëndime trupore gjatë ikjes kanë pësuar edhe dy persona tjerë, me ç’rast të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në raport.
Ndërkaq, lidhur me rastin patrulla policore ka intervenuar dhe i është përgjigjur rastit, me ç’rast zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë.
Tutje thuhet se me qëllim të eliminimit të rrezikut një zyrtar policor ka përdor pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit, duke e asgjësuar qenin.
Po ashtu, pas inicimit të rastit, është arrestuar i dyshuari kosovar (pronari i qenit) nën dyshimin se e ka lënë qenin pa përkujdesje.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.