Videoja s’u publikua e plotë, ministrja ndryshoi deklaratën e saj për shkeljen e një vajze – thotë avokati

Ministrja Rozeta Hajdari ishte dënuar me vetëm 200 euro gjobë vite më parë në një aksident në lagjen Dragodan, ku kishte goditur një vajzë 9-vjeçare.

Por avokati i familjes së vajzës së aksidentuar, Florim Shefqeti, ka thënë se Hajdari ka ndryshuar deklaratën gjatë procesit gjyqësor.

Ai përmendi se fillimisht ministrja kishte pranuar se kishte parë dy fëmijë duke dalë nga marketi, por më vonë pretendoi se nuk i kishte parë.

Njëherësh theksoi se videoja e ngjarjes nuk ishte publikuar në tërësi.

“Videoja është publikuar pjesë-pjesë dhe nuk është publikuar e plotë, gjë që mund të përmbajë ndryshime brenda saj. Së dyti, vlen të theksohet se e pandehura Hajdari kishte ndryshuar deklaratën në thelb”, tha ai në Klan Kosova.

“Fillimisht, ajo kishte deklaruar se kishte parë dy fëmijë duke dalë nga marketi, por më pas, gjatë procesit gjyqësor, ndryshoi qëndrim dhe tha se nuk i kishte parë”, u shpreh avokati Shefqeti.