Ndërhyrjet e jashtme në procesin zgjedhor në Kosovë
Periudha e fushatës zgjedhore, në të cilën tash sa ditë po kalon vendi ynë, nuk u ka shpëtuar ndërhyrjeve nga jashtë. Në prag të zgjedhjeve parlamentare duket se këto ndërhyje vijnë kryesisht nga Serbia, zyrtarët e lartë të saj dhe mediat serbo-ruse. Në organizatën Hibrid.info përmendin disa narrativa të krijuara tashmë në shtetin fqinj.
Në këtë organizatë thonë se fushata e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shtuar narrativën në Serbi për kërcënime ndaj popullit serb gjë që, siç theksojnë, faktet nuk tregojnë diçka të tillë.
Hulumtuesi Festim Rizanaj për RTV21 përmendi edhe thirrjet e zyrtarëve të lartë serbë për votim të Listës Serbe dhe jo të partive të tjera serbe në Kosovë.
“Nëse e marrim për bazë formacionin atëherë mund te themi qe ka disa narrativa nga mediat dhe zyrtarët serb po ashtu rasha today dhe sputnik shërbimi në gjuhen serbe te cilat kane plasuar disa informacione disa thirrje te zyrtareve serb te ndërlidhur me zgjedhjet kur kryesisht është bërë thirrje qe të votohet lista serbe…dhe nëse duan të mbetet Serbia në Kosovë duhet te votohet lista serbe e jo Nenad Rashiq për shkak se ata e kane konsideruar te afërt me Kurtin. Po ashtu ka pasur narrativa nga Sputnik dhe Rasha today se Kurti në fushatën zgjedhore po e përqafon Shqipërinë e madhe edhe pse s’është vërejtur në fushatat e Kurtit thirrja për bashkim Kombëtar dhe kryesisht nga mediat dhe zyrtarët serb është interpretuar si gjoja fushata ka nisur dhe po vazhdon kryesisht mbi kërcënimin e serbeve me idenë e spastrimit etnik të tyre dhe në mënyrën që të realizohet ideja e Shqipërisë së madhe sipas tyre”, tha Rizanaj.
Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, ndërkaq vlerëson se Serbia po përdorë mekanizma të ndryshëm për të ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, derisa si ndërhyje të jashtme e cilëson edhe financimin e partive politike nga vendet e huaja.
“…..ka ndërhyrje nga jashtë në këto zgjedhje. Serbia po përdor mekanizma të ndryshëm për të ndërhyrë tek elektorati serb në Kosovë për të krijuar kushte që Lista Serbe të krijojë ulëse në Kuvend. ndërhyrje është edhe financimi i partive politike përfshire edhe ato shqiptare”, tha Elezi.
Ndërhyrjet serbo-ruse në Kosovë ishin shprehur jo pak herë edhe gjatë vitit të kaluar.