Kurti në panelin e Davosit: Kosova ka shënuar rritje ekonomike
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si të arritur të madhe Marrëveshjen për tregti të lirë, të cilën do ta nënshkruajë në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Në bashkëbisedim me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, Kurti ka thënë se marrëveshja do të nënshkruhet me përfaqësuesit ekzekutivë të Islandës, Norvegjisë dhe Lihtenshtajnin.
“Kjo është një arritje e madhe, pas negociatave të mençura dhe të rënda nga ministrja Rozeta Hajdari, kemi arritur marrëveshje edhe për eksport të shërbimeve dhe jo vetëm të mallrave. Këtu qëndron pjesa e vështirë e negociatave. Kemi rreth 300 mijë shqip folës, shtetas të Zvicrës dhe mbi dy të tretat e tyre janë nga Kosova. Në Davos mund ta dëgjosh shqipen në shitore dhe kudo, janë tejet mirë të integruar”, ka thënë ai.
Tutje duke folur për temën "Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit", Kurti ka për sfidat e menaxhimit shtetëror, duke përfshirë pandeminë, inflacionin, krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë, teksa ka theksuar se Kosova ka pasur rritje ekonomike.
“Buxheti shtetëror vjetor është 50% më i madh sesa në vitin 2021. Kjo del nga një rritje impresive ekonomike, që mesatarisht ka qenë 6% e bruto produktit vendor, asnjëherë nuk ka rënë nën 4%. Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro, eksportet kanë kaluar 1 miliardë euro dhe të ardhurat tatimore kanë kaluar 3 miliardë euro”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se është dyfishuar punësimi te të rinjtë, kanë shënjestruar punësimin e grave me 14 mijë vende pune.