Policia jep detaje shtesë: Katër fëmijë u sulmuan nga qeni në Shirokë, u arrestua pronari

Katër nxënës kanë pësuar lëndime nga sulmi i qenit brenda shkollës fillore “17 Shkurti” në fshatin Shirokë të Suharekës të mërkurën.

Policia e Kosovës ka njoftuar se njëra prej nxënësve (tetëvjeçare) ka pësuar lëndime më të rënda.

Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi është kafshuar në kokë.

Edhe një tjetër është dërguar për trajtim në Prizren, ndërsa dy të tjerë kanë lëndime më të lehta.

Gjithashtu, është bërë e ditur se qeni nuk ka qenë endacak, por me pronar.

Sipas Policisë, pronari i qenit është identifikuar dhe qeni, siç thuhet në njoftim, ka sulmuar edhe pjesëtarët e Policisë, por të cilët kanë arritur ta neutralizojnë brenda ambienteve të shkollës.

“Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë në shërim në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku një nxënës femër, e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit. Dy nxënës kanë marr lëndime të lehta nga largimi ndaj sulmit”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, shtohet se qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar, duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.

Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë me mjekim, si dhe ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me rastin.