Liderët e Listës për Familjen, vizitë në Odën Ekonomike dhe Shoqatën e Pensionistëve
Sot liderët e koalicionit Lista për Familjen zhvilluan vizita në Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve.
Gjatë këtyre vizitave ata u njoftuan nga afër me sfidat dhe shqetësimet që po përballojnë bizneset vendore dhe pensionistët.
Koalicioni Lista për Familjen, i udhëhequr nga lideri dhe kandidat për deputet, z. Selim Pacolli, së bashku me deputetin z. Visar Korenica dhe z. Bejtush Gashi, u takua me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Në këtë takim, u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore. Të dyja palët ishin të një mendimi se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë.
Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen bizneset vendore, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore.
Ndërkohë, lideri i koalicionit, Selim Pacolli, shpjegoi se, sipas planit programor të koalicionit Lista për Familjen, parashihet krijimi i një gjykate ekonomike, e cila do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Deputeti Visar Korenica vlerësoi punën e deritanishme të Odës Ekonomike dhe theksoi se Koalicioni “Lista për Familjen” do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të punësimit dhe mbështetje për prodhimin vendës.
Sipas njoftimit të lëshuar, pas vizitës në Odën Ekonomike, koalicioni Lista për Familjen u takua me Shoqatën e Pensionistëve, ku diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend.
Selim Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit, ndërsa Visar Korenica theksoi se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.
Gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore.
Një nga kërkesat e tyre primare ishte ligji për fondin pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj, një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe.
Koalicioni Lista për Familjen premtoi se ky vendim do të eliminohet, duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.
Lista për Familjen thotë se mbetet e angazhuar për zhvillimin e ekonomisë vendore dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve, duke i dhënë përparësi prodhimeve vendore dhe mbështetjes për çdo pjesëtar të shoqërisë.