Gjykata Themelore në Prishtinë e dënon trajnerin Tahir Batatina për kanosje ndaj gjyqtarit Genc Nuza

Gjyqtari i futbollit kosovar, Genc Nuza, ka njoftuar opinionin se trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kanosjes që ia bëri gjatë ndeshjes Prishtina-Llapi, e vlefshme për Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ndeshja e javës së katërt të Superligës së Kosovës këtë edicion ishte e vështirë për gjyqtarin Genc Nuza, i cili u ofendua dhe u kanos nga trajneri i Llapit, Batatina.

Megjithatë, Nuza vendosi të ndjekë rrugën ligjore duke e denoncuar trajnerin e Llapit dhe tashmë pas rreth pesë muajsh është marrë aktvendimi.

Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka publikuar vetë Nuza, i cili ka konfirmuar se Batatina është dënuar me 600 euro për kanosjen e tij.

Postimi i plotë u Nuzës, pa ndërhyrje:

Pasi kam bërë denoncim për kanosje si gjyqtar kryesor në ndeshjen e Albi Mall Superligës në Futboll, e zhvilluar më 31.08.2024 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet FC Prishtina dhe KF Llapi, sot më 21.01.2025 kam pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë aktgjykimin si palë e dëmtuar.

Gjykata e ka cilësuar si fajtor personin që ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj meje gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare si gjyqtar futbolli.

Pavarësisht dënimeve që shqiptojnë organet e drejtësisë, ju siguroj se për çdo sulm, kërcënim, akuzë dhe shpifje ndaj meje dhe familjes sime, gjithmonë do t’u drejtohem organeve të drejtësisë.

Sinqerisht,

Genc Nuza