Osmani: Rugovizmi është ideal që tejkalon ndasitë

Rugovizmi si filozofi dhe vizion nuk është thjesht një strategji politike. Ai mishëron qasjen paqësore, por këmbëngulëse në ndërtimin e një shoqërie të drejtë mbi bazën e kulturës, historisë dhe vlerave tona kombëtare. Kështu theksoi presidentja Vjosa Osmani në akademinë përkujtimore për 19-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Rugovizmi është një ideal që tejkalon ndasitë. Një frymë që bashkon për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Osmani.

 

E para e shtetit theksoi se në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, jemi mbledhur për ta kujtuar jetën dhe veprën e tij, për të reflektuar mbi rrugën që ai na trasoi dhe për ta nderuar kujtimin e njërës prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare.

 

“Presidenti Rugova ishte një politikan vizionar, një filozof e mendimtar i thellë dhe një lider që i dha politikës kosovare dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human, por edhe dimensionin kulturor, të pashembullt në historinë tonë moderne. Arkitekti i pavarësisë e pa Kosovën jo vetëm si një projekt politik, por si një amanet historik. Si një aspiratë të natyrshme të një populli që vuante e luftonte për liri”, shtoi Osmani.

 

Sipas presidentes, në vitet më të vështira të historisë sonë, Rugova mbeti i palëkundur në rrugën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, raporton rtk.

“Ai ndërtoi një lëvizje paqësore të rezistencës, të bazuar në dialog, në urtësi dhe besim se demokracia dhe vlerat perëndimore do të triumfonin mbi dhunën e regjimit gjenocidal të Millosheviqit dhe do të triumfonin mbi padrejtësitë shekullore ndaj popullit tonë. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi edhe organizimin e celulave të para të rezistencës së armatosur, duke qenë i qartë se populli i Kosovës me çdo kusht do ta mbronte pragun e shtëpisë”, theksoi Osmani.

 

Presidentja tutje theksoi se Rugova e vendosi Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, krijoi miqësi me SHBA-në, me vendet evropiane dhe vendet demokratike anekënd botës, duke i dhënë çështjes sonë një legjitimitet të padiskutueshëm ndërkombëtar.

“Politikbërja e Rugovës ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë në historinë e kësaj pjese të botës. Ai besonte se forca më e madhe e një kombi ishte vullneti i tij për liri dhe drejtësi, dhe se nuk ka forcë që mund të triumfojë kundër vullnetit të një populli për të jetuar i lirë. Me këtë qasje ai e vendosi Kosovën në hartën e ndërgjegjes demokratike botërore dhe e bëri çështjen tonë kombëtare një shembull të rezistencës, të krahasuar me lëvizjet më të mëdha për të drejtat e njeriut në shekullin e 20-të”, nënvizoi Osmani.

 

Sipas saj, filozofia e tij e qëndresës frymëzoi jo vetëm shqiptarët, por edhe diplomacinë perëndimore, e cila e pa Rugovën një njeri të urtë, të matur e mbi të gjitha një burrështetas të denjë e këmbëngulës për të drejtën e popullit të tij.

“Edhe në momentet më të vështira ai ruajti dinjitetin e tij dhe respektoi edhe ata që nuk ndanin të njëjtin vizion me të. Në një mjedis politik shpesh të ashpër, Rugova ishte një kundërshtar i papërshtatshëm për ata që besonin në rrugë të tjera, e sidomos në ata që besonin në rrugën e urrejtjes. Ai u përballë me sfida të mëdha, me pengesa dhe madje edhe me kërcënime të vazhdueshme për jetën, por kurrë nuk hoqi dorë nga rruga e tij”, shtoi Osmani.