Kabineti izraelit i sigurisë rekomandon aprovimin e marrëveshjes për armëpushim në Gazë
Kabineti i sigurisë i Izraelit e ka rekomanduar miratimin e një armëpushimi, i cili do t’u jepte fund luftimeve në Rripin e Gazës dhe do të mundësonte lirimin e dhjetëra pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
Kabineti i qeverisë izraelite tani do të votojë për miratimin apo jo të marrëveshjes.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten më herët se nëse marrëveshja miratohet, atëherë armëpushimi do të fillojë të zbatohet nga 19 janari, kur edhe do të lirohen pengjet e para.
Marrëveshja parasheh pauzimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga luftëtarët radikalë në Gazë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, që mbahen nga Izraeli. Marrëveshja po ashtu do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gazë.
Kryeministri izraelit tha se ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve që do të kthehen nga Gaza dhe familjarët e tyre janë informuar se marrëveshja është arritur.
Të enjten, Izraeli shtyu votimin për armëpushimin, duke fajësuar se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për mospajtime në minutën e fundit, teksa tensionet në rritje brenda koalicionit qeverisës të Netanyahut shtuan shqetësimet për zbatimin e marrëveshjes.
Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe ndërmjetësi, Katari, kishin njoftuar se marrëveshja ishte e përfunduar. /REL