86 milionë euro do të investohen për efiçiencë në ndërtesat publike
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim kanë nënshkruar sot marrëveshjen për projektin “Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike të Kosovës”.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes u bë e ditur se ky projekt ka vlerë prej 86 milionësh, si dhe është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, BERZH-it, si dhe grant prej 20 milionë eurosh nga BE-ja e Mbretëria e Danimarkës.
Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se zbatimi i këtij projekti ndikon direkt në përmirësimin e kushteve për qytetarët që shfrytëzojnë shërbimet nga ky investim.
“Ideja është të bëhet një investim në rreth 400 ndërtesa publike që ato të izolohen dhe të rriten masat e efiçiencës në to. Vlera totale e projektit është 86 milion euro që është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës, BERZH-it dhe gjithashtu përfshinë e grant investimi prej 20 milion euro ku kontribuues janë BE-ja e Fondi Danez në Kosovë”, tha Murati.
Ai njoftoi se projekti i sotëm është vetëm një fragment i punës disavjeçare të Qeverisë në këtë drejtim.
Iniciativa të ngjashme Murati tha se edhe në të kaluarën janë nënshkruar me komunën e Prishtinës e Prizrenit, me vlerë totale prej 12 milionë eurosh.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova konsumon mesatarisht katër herë më shumë energji në krahasim me mesataren e BE-së.
“Stoku i ndërtesave konsumon mbi 40 për qind të energjisë që konsumohet në vend. Kjo e vë në perspektivë se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë, në mënyrë që konsumi i gjithmbarshëm të ulet e ta lehtësojë edhe sistemin tonë elektroenergjetik, dhe koston e financimit të këtij konsumi”, theksoi Rizvanolli.
Rizvanolli konfirmoi se ka spitale e ndërtesa publike të mbuluara me myk, si dhe çati që pikojnë.
“Këto kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve, me shëndetin e fëmijëve tanë në shkolla, me shëndetin e zyrtarëve publik që kalojnë së paku 8 orë në ditë në ato ambiente”, tha ajo.
Sipas Rizvanollit, tash e katër vjet Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Fondin për Efiçiencë të Energjisë kanë përfunduar së bashku 125 objekte publike në 21 komuna, në të cilat sipas saj konsumi i energjisë është rritur deri në 80 për qind.
Nënshkrimi i kësaj, sipas Driton Hetemi, drejtor menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.
“Projekti si i tillë vlen të përmendet se është më i madhi ndonjëherë në Kosovë sa i përket efiçiencës së energjisë”, tha ai duke njoftuar se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e kushteve në rreth 400 ndërtesa publike të nivelit lokal e qendror.