Hamza prezanton zotimet kryesore për një ekonomi më të zhvilluar
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka premtuar se do të investojë në ekonomi.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ai ka treguar disa nga zotimet e tij kryesore.
“Të nderuar qytetarë, këto janë zotimet e mia kryesore për ta Kosovën ma të mirë. Investime transformuese në infrastrukturë, përfundimi i projekteve ekzistuese të autostradave brenda vitit të parë”, thotë Hamza.
Gjithashtu, ai premton se do të bëjë lidhjen e dy autostradave përmes segmentit Qafë Duhël – Shtime – Banullë të Lipjanit.
“Unaza e Jashtme e Prishtinës, ndërtimi i linjës hekurudhore me Shqipërinë dhe elektrifikimi i hekurudhave, ndërtimi i digave dhe kanaleve të reja për rritjen e sigurisë së furnizimit me ujë. Investime në qendrat e skijimit në Brezovicë dhe Borea”, shton mes të tjerash ai.
Kandidati i PDK-së deklaron se ka ardhur koha të punojmë bashkë për ta bërë Kosovën më të mirë.
Bedri Hamza ka numrin 1, ndërsa PDK-ja 131.