KEDS-i zë disa biznese në Prishtinë duke e vjedhur energjinë elektrike
KEDS-i po bën aksione intensive në përcjellje edhe të Policisë së Kosovës kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike.
Siç thuhet në një komunikatë për media, në aksionin e zhvilluar në Prishtinë brenda një dite të vetme janë zënë pesë biznese duke e vjedhur rrymën.
“Me intensifikimin e kontrolleve për keqpërdorimin e energjisë elektrike, është shtuar edhe numri i rasteve të kapjes së keqpërdoruesve të rrymës. Në të gjitha rastet bëhej fjalë për anashkalim të njehsorit elektrik, që nënkupton se energjia elektrike që konsumohej nga këto biznese, vidhej. Pasoja e parë me të cilën do të ballafaqohen këto biznese është Rikthimi i Humbjeve të shkaktuara ndaj KEDS-it. Sipas rregulloreve në fuqi, për biznese përllogaritja e humbjeve të shkaktuara bëhet sipas fuqisë së pajisjeve që kanë qenë të lidhura në të zezën, në një afat prej një viti pune. Vitin e kaluar, për shembull, një biznes që është kapur duke e keqpërdorur energjinë elektrike, është detyruar t’ia rikthejë KEDS-it mbi 50 mijë euro në kuadër të llogaritjes së Rikthimit të Humbjeve”, thotë KEDS-i.
Por, kjo nuk është e tëra.
KEDS-i thotë tutje se keqpërdorimi i energjisë elektrike, përveçse i papranueshëm, është edhe i dënueshëm sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
“Tashmë pronarët e këtyre bizneseve do të ballafaqohen me një proces të pashmangshëm gjyqësor, ku do të mundë të dënohen me gjobë ose me burg deri në tre vjet. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, hyn në kuadër të Vjedhjes së Shërbimeve”.
“KEDS-i shfrytëzon rastin të informojë të gjithë konsumatorët - shtëpiakë e komercialë, se ka intensifikuar kontrollet për keqpërdorimin e energjisë elektrike, ditën e natën, anembanë Kosovës. Kompania mbetet e përkushtuar të luftojë fenomenin e keqpërdorimit të energjisë elektrike, dhe vazhdon të ketë tolerancë ZERO ndaj të gjithë atyre që joshen të bëjnë një gjest të tillë të shëmtuar”, thuhet në komunikatë. /Zëri