Pejani shtie me armë nga ballkoni i banesës, kërkon nga policët të mos i afrohen duke kërcënuar edhe me vetëvrasje
Policia në Pejë dje [e martë 14.01.2025] është njoftuar se në lagjen “Fidanishte”, në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë, ka të shtëna me armë.
Policia ka njoftuar se njësitet policore menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes, fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë duke u ekspozuar në ballkonin e banesës në katin e tretë, i njëjti ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuajë ose do ta vrasë veten.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente, stafi menaxhues i DRP Pejë dhe prokurori i Shtetit dhe pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është arrestuar. Në banesën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar:
Një (1) pushkë automatike dhe një (1) karikator i së njëjtës armë
Një (1) armë pistoletë Zoraki dhe një (1) karikator i së njëjtës armë
Tridhjetë e gjashtë (36) fishekë kalibri 7.63 x 39
Tridhjetë e pesë (35) fishekë kalibri 32 auto
Tri (3) gëzhoja kalibri 7.63 x 39
Dy (2) gëzhoja kalibri 32 auto
Një (1) thikë (bajonetë)
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri