Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit pasi e krahasoi LDK-në me “mizën”: S’jemi për t’u sharë e për t’u zhytur në moçalin e pështymave
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në këtë fushatë nuk e ka ndërmend të merret me kundërkandidatë, pasi ka “përpara prezantimin për punët e ardhshme”.
I pyetur nga gazetarët për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ku e krahason LDK-në me “mizën”, Abdixhiku ka thënë se në këtë fushatë primare e ka prezantimin e projekteve konkrete e jo sharjet me partitë tjera.
Madje, kreu i LDK-së ka ftuar në debat publik kryeministrin Kurti, për, siç ka thënë, matjen e ideve për të ardhmen.
“Nuk merremi me çështje negative në këtë fushatë, kemi përpara një obligim të madh qytetar dhe ky obligim na thërret për propozime konkrete, për ide të ardhshme se si bëhet vendi. Nuk jemi për t’u sharë e për t’u zhytur në moçalin e madh të pështymave, jemi për të prezantuar punën e ardhshme të Republikës së Kosovës, sepse na duhet t’u shpjegojmë qytetarëve tanë se për çfarë qëndrojmë. Unë e ftoj secilin njëri që t’i përcjellë me kaq masivitet tubimet e LDK-së dhe kaq interesim, në mënyrë të kuptojmë se çfarë i pret për katër vjetët e ardhshëm brenda Republikës së Kosovës, e kryeministrin në ikje e ftoj edhe për ballafaqim publik e t’i masim idetë për idetë për ardhmen. Për t’u sharë i kemi disa tjerë, por nuk e kam ndërmend këtë fushatë me u shajtë”, ka thënë Abdixhiku. /EO