Bideni nderon Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë

Presidenti i Amerikës, Joe Biden nderoi të shtunën Papa Françeskun me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil i dhënë nga presidenti, duke thënë se Papa është “një dritë besimi, shprese dhe dashurie që shkëlqen në të gjithë botën”.

Bideni kishte planifikuar t’ia jepte medaljen Papës personalisht të shtunën në Romë në atë që do të ishte udhëtimi i fundit jashtë shtetit i presidencës së tij, por ai anuloi planet e udhëtimit në mënyrë që të mund të monitoronte zjarret në Kaliforni.

Shtëpia e Bardhë tha se Bideni nderoi Papën përmes një telefonate në të cilën ata diskutuan lidhur me përpjekjet për të promovuar paqen dhe për të lehtësuar vuajtjet në mbarë botën.

Bideni po përgatitet të largohet nga detyra më 20 janar dhe ka bërë nderime për individë të shquar, duke përfshirë mbështetësit dhe aleatët, javët e fundit, transmeton Klankosova.tv.