Bajrami ironizon Kurtin: Ai po e kërkon edhe një mandat për t’i shlyer me gomë veprimet korruptive

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami përmes një postimi në rrjetin social Facebook , tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po e kërkon edhe një mandat për t’i shlyer siç tha ajo me gomë veprimet korruptive të bëra këto katër vjet.

“Albin Kurti dje në tubimin e hapjes së fushatës, në Gjakovë paska thënë se, nëse vijnë ata në qeveri, “me laps e shkruajnë zhvillimin dhe me gomë e shlyjnë korrupsionin”. Tash merreni me mend: në vitin 2025, një kryeministër që është në qeveri që katër vite, me 51% të votave – me krejt nivelet e pushtetit, po e kërkon mandatin tjetër për ta shlyer korrupsionin me gomë!”, ka shkruar ajo.

“Pra, me gomë me i shly paratë e tërhequra nga Martin Berishaj – 1.4 milionë euro, me i shly me gomë 36 milionë euro dëme në KEK, që i ka shkaktu Nagip Krasniqi, me e shly me gomë vendimin e vet për trajtimin sekret të tenderit 10-milionësh të rezervave shtetërore, me i shly me gomë qindra mijëra euro subvencione nga Ministria e Bujqësisë për familjarë dhe me i shly me gomë 2123 kontrata sekrete, të bëra në katër sy”, shtoi ajo.

“A e shihni tash për çka i duhet Albinit edhe një mandat? Me shly me gomë korrupsionin që e ka bërë këto katër vite”, tha Bajrami.

E dyta e LDK-së, theksoi se qytetarët do të votojnë më 9 shkurt për programin më të mirë.

“Jo, Albin, Qytetarët në këto zgjedhje do të votojnë për ata që do punojnë, për ata që do ta reformojnë arsimin e shëndetsinë, për ata qo do ta transformojnë Kosovën me projekte të mëdha: në shëndetësi, arsim, energji, sport e kulturë. Për programin që ofron rritje të pagave e pensioneve, që ofron reformë fiskale e ambient me të mirë të biznesit për sektorin privat, e para së gjithash qytetarët do të votojnë për një sistem të drejtësisë, i cili garanton që cep më cep do të kthehen paratë e vjedhura cent më cent. Qytetarët me 9 shkurt do të votojnë për programin me të mirë, për Lidhjën Demokratike të Kosovës”, shtoi ajo.