Hapja e fushatës së LVV-së: Konjufca e uron Kurtin edhe për “një mandat tjetër”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me hapjen e fushatës zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ia ka uruar kryeministrit aktual të Kosovë, Albin Kurtit edhe “një mandat tjetër”.
Urimin, Konjufca ka thënë se po e bën duke u bazuar në atë që po sheh.
“Kryeministër, siç po e shohim këtë mbështetje, cep më cep në të gjithë Kosovën, vetëm mund t’ju urojmë edhe një mandat tjetër për kryeministër.Fitorja është e popullit tonë, e populli ynë e ka një fjalë shumë të bukur “rruga e mirë, nuk ndërrohet” na priftë e mbara së bashku. Urime fitoren e 9 shkurtit”, deklaroi ai.
Teksa ka pretenduar se vendi për 20 vjet është bërë copa, ndërsa për gjatë qeverisjes së tyre Kosova është bërë “cep më cep”.
“Qytetarë të dashur, a e dini cili është dallimi mes Vetëvendosjes dhe atyre që qeverisën për 20 vjet? Ata që qeverisën për 20 vjet e bënë Kosovën copë më copë, ndërsa ne e kemi bërë Kosovën cep më cep”, ka thënë Konjufca para të pranishmëve.
Sipas tij, qytetarët po pyesin përse ka pasur rritje ekonomike.
“Është thjesht sepse s’ka pasur korrupsion. Përse ka rritje të pensioneve? Sepse nuk ka keqpërdorime. Përse ka shtesa për fëmijë e për lehona? Sepse ka Vetëvendosje, e cila di të ia kthej paret popullit e nuk i han përveti ashtu siç kanë bërë më herët, ne kemi bërë më shumë”.
Partitë politike kanë nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore këtë të shtunë, më 11 janar, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe përballjet mes subjekteve politike do të synojnë të fitojnë votën e qytetarit.