Parandalohet kontrabanda në kufirin Shqipëri-Kosovë, arrestohet një kosovar

Policia shqiptare ka njoftuar sot se është parandaluar një rast kontrabandimi mallrash nga Shqipëria për në Kosovë, përmes kufirit të gjelbër në pikën kufitare Qafë Prush.

Në kuadër të kontrolleve të intensifikuara bazuar në analizën e riskut, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar një kamionçinë të drejtuar nga shtetasi B. Gj., 46 vjeç, banues në Kosovë.

Gjatë kontrollit në automjet, janë gjetur mallra ushqimore pa dokumentacion të rregullt, të cilat dyshohet se po tentoheshin të kontrabandoheshin.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës arrestoi në flagrancë shtetasin B. Gj., i cili akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Mallrat e sekuestruara dhe automjeti janë bllokuar si prova materiale, ndërsa çështja është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Shtetit thekson se do të vijojë kontrollet e rrepta në pikat kufitare për të parandaluar çdo formë paligjshmërie dhe për të garantuar sigurinë në kufijtë e Shqipërisë.