36-vjeçari që vdiq në QKMF-në e Podujevës po merrte infuzion për shkak të gripit sezonal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një 36-vjeçar ka humbur jetën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, derisa po merrte trajtim mjekësor pasi ishte prekur nga gripi sezonal.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, 36-vjeçari ka qenë i shtrirë në QKMF-në e Podujevës duke marrë infuzion për shkak të gripit sezonal, ku papritur i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe për pasojë është ndarë nga jeta.

Në lidhje me këtë rast është informuar Policia e Kosovës, ndërkaq Sinjali mëson se familjarët e viktimës kanë deklaruar në Polici se 36-vjeçari nuk ka pasur ndonjë problem tjetër shëndetësor, përpos gripit.

Vdekjen e 36-vjeçarit e kanë konstatuar ekipet mjekësore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e detajeve të tjera, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. /GazetaSinjali