Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës

Me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua sot në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein të Republikës Federale të Gjermanisë.

Takimi u bashkëdrejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Për të treguar rëndësinë e këtij koalicioni dhe për të adresuar kërkesat e Ukrainës për vitin 2025 në takim mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Në adresimin e tij, Zelenskyi falënderoi shtetet e koalicionit për ndihmat e dhëna përmes Kontakt Grupit.

Gjeneral Jashari gjithashtu gjatë këtij forumi pati një takim me Gjeneral Christopher Cavoli, Komandant i Forcave Amerikane për Evropë. Të dy ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në shërbim të paqes dhe sigurisë euroatlantike.

Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj.

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus, thuhet në njoftim. /Telegrafi/