Arrestohen tre persona për vjedhje të rëndë në Han të Elezit
Më datë 25.11.2024, rreth orës 23:30, policia e stacionit në Han të Elezit ka pranuar një informatë për një rast vjedhjeje të rëndë në terminalin doganor në këtë zonë.
Policia e Kosovës njofton se pas mbërritjes në vendngjarje, hetuesit policorë, nën autorizim të Prokurorit të Shtetit, kryen ekzaminimet e nevojshme.
“Hetimet fillestare zbuluan se persona të panjohur, me qëllim përfitimi pasuror të kundërligjshëm, kishin depërtuar me forcë në njërin nga objektet e terminalit doganor, duke vjedhur pjesë metalike me përmbajtje bakri”, thuhet në njoftim.
“Pas një pune intensive hetimore, sot, më datë 09.01.2025, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë tre persona të dyshuar për këtë vepër penale. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ata janë ndaluar për 48 orë”, vijon njoftimi.
Personat e arrestuar janë: A.R. (M/K), 42 vjeç, R.R. (M/K), 27 vjeç, I.L. (M/K), 38 vjeç.
Ndërkohë, personi N.L., i dyshuar për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale,” është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.