Raporti vjetor i NATO-s: Ngriten shqetësime për tensionet në veri të Kosovës
Raporti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s për vitin 2024, përpiluar nga Lord Mark Lancaster nga Britania e Madhe, hedh dritë mbi sfidat kryesore të sigurisë në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, duke analizuar shkaqet dhe pasojat e tyre.
Në raport përmendet përshkallëzimi i dhunës në veri të Kosovës, me incidente që ngritën shqetësime serioze për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës rrezikon të shkaktojë një konflikt me pasoja të rënda rajonale. Për të përballuar këtë situatë, NATO ka forcuar misionin e KFOR-it me trupa dhe pajisje të përshtatura për sfidat e reja të sigurisë”, thuhet në raport.
Ndërkohë, tensionet politike në Bosnjë-Hercegovinë vazhdojnë të kërcënojnë Marrëveshjen e Dejtonit, që ka mbajtur një paqe të brishtë për gati tre dekada.
Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjën e përshkroi situatën si një “pamje të përzier”, duke vënë në dukje progresin e kufizuar drejt integrimit evropian dhe përpjekjet e vazhdueshme për të minuar stabilitetin e brendshëm.
Raporti nënvizon se çështjet e pazgjidhura në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë përbëjnë një pengesë të madhe për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit.
Siç thuhet tutje, dialogu i ngecur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, së bashku me ngërçin politik në Bosnjë-Hercegovinë, pengojnë përparimin e Serbisë, Kosovës dhe BiH drejt Bashkimit Evropian, duke ushqyer jostabilitetin rajonal dhe duke ndihmuar përhapjen e rrjeteve kriminale.
Raporti thekson gjithashtu ndikimin negativ të korrupsionit dhe institucioneve të dobëta, të cilat krijojnë hapësira për ndërhyrjen e aktorëve të huaj si Rusia dhe Kina.
“Këto vende, me qëllime të ndryshme, ndajnë një objektiv të përbashkët: dobësimin e konsensusit perëndimor dhe pengimin e konsolidimit të integrimit euroatlantik”.
Në Samitin e Washingtonit, aleatët e NATO-s riafirmuan angazhimin e tyre për Ballkanin Perëndimor, duke premtuar të rrisin dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale. Për më tepër, ata theksuan nevojën për të luftuar ndikimin dhe kërcënimet hibride që vijnë nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë.
Raporti apelon për një përqendrim më të madh në zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe si dhe për zhbllokimin e ngërçit politik në Bosnjë-Hercegovinë.
Ai rekomandon përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit ushtarak në rajon si mjete kyçe për të përballuar sfidat aktuale.
“Në këtë moment kritik për sigurinë euroatlantike, NATO duhet të forcojë mbështetjen për KFOR-in dhe të eksplorojë mënyra të reja për të kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në fund.
Gjithsej 4.443 trupa nga 28 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR.
Më shumë se gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.
NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe./Telegrafi/