Haradinaj: Dyfishim i pagave në sektorin publik, pensione baraz me pagën minimale

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka bërë një bisedë të sinqertë me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka premtuar dyfishim të pagave në sektorin publik, si dhe të pensioneve siç u shpreh ai, baraz me pagën minimale në vlerë prej 500 euro.

“Ka vetëm një zgjidhje: Dyfishim i pagave në sektorin publik, si dhe të pensioneve baraz me pagën minimale në vlerë prej 500 euro. Ky është zotim i yni të cilin do ta bëjmë realitet që në ditët e para gjatë mandatit qeverisës”.

“Programi ynë ofron zgjidhje konkrete dhe të realizueshme. Do të rikthejmë dialogun social qeveri – sindikatë dhe Kontratën Kolektive, do ta amandamentojmë Ligjin për organizmin sindikal në mënyrë që sindikatave t’i fuqizojme rolin e tyre në ndërtimin e politikave qeverisëse, do të bëhet implementimi i ligjit për pensionistët kontributdhënës për të punësuarit pas luftës së vitit 1998-99”.

“Plani ynë për Kosovën Fituese është garancë për të rikthyer dinjitetin e punës, për të ndaluar largimin e kuadrove profesionale nga vendi dhe për të ndërtuar një Kosovë që ofron shpresë për të gjithë. Kosova Fituese është projekti që i duhet vendit tonë sot”, ka shkruar Haradinaj.