Zyrtari i lartë amerikan zbarkon në Shqipëri, në fokus demokracia dhe siguria
Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka arritur në Shqipëri, duke nisur vizitën e tij në tri shtetet e Ballkanit – Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.
Me të arritur në Tiranë, Verma ka publikuar një fotografi ku tha se zbarkoi në “Shqipërinë e bukur”, ndërsa tregoi edhe për qëllimin e vizitës së tij.
“Zbarkova në Shqipërinë e bukur! I lumtur të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë për forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre në nevojë”.
Në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi ai do të qëndrojë nga 7 deri më 11 janar.
Siç kishte bërë të ditur Departamenti amerikan i shtetit, në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë “Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”.
Në Kosovë, Departamenti i Shtetit tha se Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.
“Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”.
Në Serbi, zëvendëssekretari do të theksojë “partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike”.
“Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet europiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, thuhet në deklaratë.
Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa ndjekin qëllimin për integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.
Landed in beautiful Albania! Excited to begin my visit and work with our partners on strengthening democracy, security, and supporting those in need. @USEmbassyTirana pic.twitter.com/rvcZfQZx0R
— Richard R. Verma (@DepSecStateMR) January 8, 2025