Mbyllja e një institucioni paralel në veri, Sveçla: Mblidhej haraç nga grupe kriminale
Institucionet e Kosovës sot, përmes një aksioni, kanë mbyllur Agjencinë Tatimore të Serbisë, që vepronte ilegalisht në veri të Mitrovicës.
Për këtë ka reaguar ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucionalë, ndërsa shtoi se do të vazhdojë të luftojë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve të Kosovës.
Sveçla institucionin paralel e ka cilësuar si mbledhës të haraçit dhe zhvillohej nga grupe kriminale besnike ndaj Serbisë, transmeton Zeri.info.
“Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, shkroi Sveçla. /Zëri