Elshani: E mbyllëm Degën e Ministrisë së Financave të Serbisë në veri të Mitrovicës
Më herët kemi raportuar se edhe një institucion paralel i Serbisë, që po funksiononte ilegalisht në veri të Mitrovicës është, mbyllur.
Tashmë Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Zërin” se bëhet fjalë për zyrën tatimore që funksiononte si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë, e cila është mbyllur deri në verifikim të fakteve.
“Rreth orës 9:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore (si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorë, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve”, tha për “Zërin” zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
Elshani konfirmoi gjithashtu se nuk ka të arrestuar nga ky rast dhe se rasti do të hetohet si “Falsifikim i dokumenteve”. /Zëri