Zbulohet çmimi që Liverpooli ia ka vendosur Nunezit për klubet e interesuara
Është zbuluar tashmë çmimi për të cilin Liverpooli mund ta pranojë shitjen e Darwin Nunez.
25-vjeçari iu bashkua Liverpoolit nga Benfica në një marrëveshje gjashtë-vjeçare në qershor të 2022 për 65 milionë euro, me atë shumë që pritet të rritet deri në 85 milionë me bonuse.
Sidoqoftë, ai ka dështuar që të mbushë pritshmëritë e mëdha që ishin për të pas ardhjes së tij në Angli.
Të dielën ai ishte në bankën rezervë në barazimin 2-2 ndaj Manchester United dhe u fut në 30 minutat e fundit të atij takimi duke zëvendësuar Luis Diaz.
Por ai i la të zhgënjyer turmën në ‘Anfield’ me një paraqitje të dobët dhe i vetmi rast ku ishte prezent ishte një ndërhyrje e palejuar në Matthijs De Ligt, e cila bëri të ndëshkohet me karton të verdhë.
Uruguaiani ka shënuar vetëm katër gola në 23 ndeshje në të gjitha garat që prej se Slot u emërua trajner i Liverpoolit.
Tani me afatin kalimtar të janarit të hapur, janë zbuluar disa klube që thuhet se kanë shprehur interesim për transferimin e tij.
Football Insider më herët kishte raportuar se interesim për të ka shfaqur Newcastle United, por një marrëveshje është vështirë të ndodhë gjatë afatit dimëror.
Sidoqoftë, Liverpooli thuhet se është i hapur t’i pranojë ofertat prej 50-60 milionë eurove për sulmuesin.
Nunez ka kontratë valide me Liverpoolin deri në qershor të 2028, por paraqitjet e tij mund të bëjnë që ai të shitet më herët./Telegrafi/