Mali i Zi urdhëron ekstradimin në SHBA të ish-ekzekutivit të një kompanie kriptomonedhash

Ministri malazez i Drejtësisë Bojan Bozovic urdhëroi ekstradimin për në Shtetet e Bashkuara të bashkëthemeluesit të kompanisë ‘Terraform Labs’, Do Kwon, i cili është shpallur gjithashtu në kërkim nga Koreja e Jugut, thuhej në një njoftim të zyrtarëve malazezë të premten.

Do Kwon, shtetas i Koresë së Jugut, ka qenë ish-drejtues ekzekutiv i ‘Terraform Labs’, me bazë në Korenë e Jugut, kompania që qëndron pas ‘TerraUSD’, një kriptomonedhë që ishte parashikuar të mbante një çmim konstant në treg prej 1 dollarësh. Falimentimi i saj në maj 2022, tronditi tregjet e kriptomonedhave.

Kwon u arrestua në mars të vitit 2023 teksa po përpiqej të largohej nga Mali i Zi.

Pasi Gjykata e Lartë përcaktoi se ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore për ekstradimin e Do Kwon, Ministria e Drejtësisë arriti në përfundimin se shumica e kritereve ligjore favorizonin kërkesën amerikane.

Ministri Bozovic ndërkohë refuzoi një kërkesë të ngjashme të Koresë së Jugut.

Do Kwon mohon të ketë kryer ndonjë shkelje ligjore. Ai përballet me akuza penale në SHBA.

Kwon dhe kompania e tij ‘Terraform Labs’ janë paditur nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë në shkurt të vitit 2023 lidhur me kriptomodhenat ‘TerraUSD’ dhe ‘Luna’, për të cilat autoritetet kanë thënë se kanë shkaktuar rreth 40 miliardë dollarë humbje në tregjet e kriptomonedhave.

Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë akuzon ‘Terraform’ dhe Kwon se mashtruan investitorët në lidhje me stabilitetin e ‘TerraUSD-së’. /VOA