Vëllai i Gjyljeta Ukellës: Dënimi me burgim të përjetshëm për Edmond Lajçin, hap drejt ndaljes së vrasjeve të grave

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Edmond Lajçit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.

Pas pranimit të fajësisë më 24 dhjetor, gjykata e dënoi atë me masën më të rëndë – burgim të përjetshëm.

Shpat Ukella, vëllai i viktimës, ka thënë se kanë mirëpritur këtë vendim të gjykatës.

Ukella e cilësoi vendimin si të drejtë dhe të rëndësishëm për parandalimin e vrasjeve të grave në Kosovë.

“Sot gjykata e dha një vendim shumë të drejtë, se vetëm kështu ndalen vrasjet në Kosovë ndaj grave. Unë mendoj që sot gjykata ka bërë një punë të drejtë dhe shumë të mirë. Besoj që rasti i motrës sime do të jetë rasti i parë që do të vazhdojë më këtë vendim”, ka thënë Ukella.

Ngjarja tragjike ndodhi më 16 prill në banesën e çiftit në rrugën “Bill Klinton” në Pejë, ku, sipas aktakuzës, Lajçi vrau me dashje bashkëshorten e tij me armë zjarri.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë më 19 nëntor, duke theksuar se çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme, përfshirë ushtrimin e dhunës psikike nga i akuzuari. /dukagjini