Sekuestrohen 25 mijë euro si provë e ryshfetit në rastin e arrestimeve në Komunën e Graçanicës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar 25 mijë euro që të dyshuarit kanë marrë ryshfet duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të nxjerrë një vendim në Kadastrin e Komunës së Graçanicës.
“Gjatë këtij operacioni, në zbatimin të urdhëresave të tilla, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arritur që të shoqërojë në Polici disa persona dhe të sekuestrojë shumën prej 25.000 eurosh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ky aksion është udhëhequr nga prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për zbatimin e masave të veçanta hetimore ndaj të pandehurve të lartcekur dhe po të njëjtën datë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime taktike operacionale, duke zbatuar këto masa. Gjatë zbatimit të masave të tilla, përfshihet në veprën penale dhe i pandehuri i tretë me inicialet V.S, për çka, Prokurori i Shtetit, më 26 dhjetor 2024, ka zgjeruar hetimet në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 31 të KPRK-së dhe menjëherë është kërkuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake lëshimi i urdhrit për masën e veçantë hetimore dhe urdhrit për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të provave dhe pasurisë së specifikuar për të tre të pandehurit”, thuhet më tej në njoftim.